Komisioni Evropian ka konfirmuar se një rrjet spiunazhi hungarez ka operuar nga Përfaqësia e Përhershme e Hungarisë në Bashkimin Evropian në Bruksel, me qëllim mbledhjen e informacioneve konfidenciale nga zyrtarët e institucioneve evropiane, raporton “Politico”.
Sipas një dokumenti të brendshëm të prillit të këtij viti, hetimi i udhëhequr nga komisioneri Piotr Serafin zbuloi se shërbimet e inteligjencës hungareze kishin vendosur disa agjentë në përfaqësinë e tyre në Bruksel gjatë periudhës 2013-2016. Këta agjentë, duke përdorur statusin diplomatik si mbulesë, synonin kryesisht zyrtarët e Komisionit Evropian me origjinë hungareze, nga të cilët kërkonin informacione mbi çështje që i interesonin veçanërisht qeverisë së Budapestit. Megjithëse fillimisht veprimtaria ishte sekrete, ajo u bë më e hapur pas vitit 2015, duke u zbuluar përfundimisht nga vetë zyrtarët hungarezë brenda institucioneve të BE-së, çka solli edhe ndërprerjen e rrjetit në vitin 2016.
Në qendër të këtij skandali ndodhet edhe Oliver Varhelyi, aktualisht komisioner evropian për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, i cili në atë kohë drejtonte përfaqësinë e Hungarisë në Bruksel. Varhelyi i ka deklaruar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Parlamentit Evropian se nuk ka qenë në dijeni për këto aktivitete dhe se asnjëherë nuk është kontaktuar nga shërbimet e inteligjencës për të dhënë informacione të klasifikuara.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian është munduar të minimizojë përmasat e këtij rasti, duke deklaruar se nuk ka gjetur prova që ky rrjet të ketë shkaktuar ndonjë shkelje serioze të sigurisë ose ndonjë incident që do të komprometonte punën e institucioneve evropiane. Gjithashtu, hetimi nuk ka arritur të identifikojë përgjegjësi individuale përtej vetë operativëve të inteligjencës.


