Spliti ndalon shitjen e alkoolit pas orës 21:00: Masa drastike për t’i dhënë fund kaosit nga turistët e dehur

Spliti po ndërmerr masa drastike për të frenuar sjelljen e pahijshme të turistëve të dehur, të cilët shkaktojnë zhurmë, përleshje dhe kaos në qendrën historike të qytetit gjatë netëve të verës. Si pjesë e një projektvendimi që pritet të hyjë në fuqi në gusht, ndalohet shitja e alkoolit në të gjitha dyqanet, kioskat dhe pikat e karburantit nga ora 21:00 deri në 06:00 të mëngjesit, për periudhën 1 qershor – 15 shtator.

 

Banorët e qendrës, të cilët prej vitesh përballen me turistë që flenë në pragjet e dyerve të tyre ose vandalizojnë pronat, e mirëpresin këtë vendim, megjithëse ka skepticizëm nëse kjo masë do të jetë e mjaftueshme për ta ndryshuar rrënjësisht situatën. Për të siguruar zbatimin e këtij rregulli, qyteti ka parashikuar gjoba tepër të rrepta, të cilat për personat juridikë mund të arrijnë deri në 40.000 euro.

Kjo iniciativë e Splitit po shërben si shembull edhe për qytete të tjera bregdetare kroate si Zadari, Makarska dhe Hvari, të cilat po planifikojnë kufizime të ngjashme. Autoritetet theksojnë se qëllimi i vetëm i kësaj mase është rivendosja e rendit publik dhe mbrojtja e cilësisë së jetës së banorëve vendas nga “turizmi i shfrenuar” që po dëmton trashëgiminë kulturore dhe ambientin.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT