Ushtruesi i detyrës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi se sot është bërë konstituimi i kuvendeve komunale në Kosovë në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke uruar sukses për kryetarët e rinj.
“Sot u mbajtën seancat konstituive në komunat Gjakovë, Graçanicë, Leposaviq, Lipjan, Mamushë, Mitrovicë e Veriut, Novo Bërdë, Partesh, Ranillug, Shtërpcë, Shtime, Zubin Potok dhe Zveçan. Gjithçka po zhvillohet sipas dispozitave kushtetuese”, shkroi ai.
Në të gjitha dhjetë komunat me shumicë serbe u konstituua pushteti lokal, ndërsa të gjithë kryetarët e rinj janë nga Lista Serbe.
Betimi u krye para flamurit të Kosovës dhe fotografisë së presidentes Vjosa Osmani, sipas protokollit zyrtar.


