Koordinatorja e Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Tetovës, znj. Sevim Berzati, në cilësinë e anëtares së Bordit të organizatës Women Alb World (WAW), mori pjesë në takimin e parë të kësaj organizate në Kanada, i mbajtur më 20 qershor 2026 në Toronto, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës.
Ky aktivitet mblodhi gra shqiptare nga fusha të ndryshme të jetës publike, akademike, biznesit dhe shoqërisë civile, me qëllim forcimin e bashkëpunimit, krijimin e lidhjeve profesionale dhe fuqizimin e rolit të grave shqiptare në diasporë.
Gjatë takimit u diskutuan tema me rëndësi që lidhen me lidershipin, sipërmarrjen, fuqizimin ekonomik dhe kontributin e grave në zhvillimin shoqëror. Pjesëmarrëset ndanë përvoja dhe shembuj frymëzues nga angazhimi i tyre profesional dhe shoqëror në Kanada.
Pjesëmarrja e znj. Sevim Berzati në këtë ngjarje paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e Komunës së Tetovës dhe për forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fusha me interes të përbashkët.
Me këtë rast, znj. Berzati shprehu mirënjohjen për Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Toronto, z. Kadri Dakaj, për ftesën dhe mikpritjen, si dhe për Presidenten e Women Alb World, znj. Mirela Mezani, dhe Sekretaren e Përgjithshme, znj. Elia Resuli, për organizimin e suksesshëm të këtij aktiviteti.
Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që promovojnë bashkëpunimin, fuqizimin e grave dhe avancimin e vlerave tona kombëtare në nivel ndërkombëtar.
