Kroacia investon 2 miliardë euro në modernizimin e ushtrisë

Qeveria e Kroacisë ka miratuar një paketë të madhe investimesh për modernizimin e Forcave të Armatosura, me vlerë totale afër dy miliardë euro. Projekti përfshin blerjen e 44 tankeve “Leopard” 2A8, 18 haubicave “Caesar”, 420 kamionëve të rëndë terreni TATRA, si dhe sisteme kundër dronëve.

 

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Mbrojtjes, Ivan Anušić, deklaroi se pjesa më e madhe e kësaj pajisjeje tashmë ekziston në ushtri, por ka nevojë për rinovim dhe përmirësim. Ai theksoi se projekti synon kalimin nga teknologjia lindore drejt asaj perëndimore dhe modernizimin e kapaciteteve kombëtare dhe rajonale.

“Ky është paketa më e madhe financiare për armatën kroate deri tani. Të gjitha pajisjet pritet të arrijnë deri në vitin 2030,” tha Anušić, duke shtuar se tanket “Leopard” 2A8 janë ndër më modernet në botë, me sistemin unik të mbrojtjes kundër dronëve dhe mbrojtjes anti-tank Trophy.

Ministri theksoi gjithashtu se Kroacia ka kompani të fuqishme të industrisë së mbrojtjes që nënshkruajnë kontrata serioze me partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë vende jo vetëm anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Trajnimet për përdorimin e pajisjeve do të zhvillohen në vend.

Ky investim pritet të rrisë kapacitetin operativ të ushtrisë, të përmirësojë lidhjet logjistike dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike për kompanitë lokale të mbrojtjes.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT