Investim strategjik: Shqipëria modernizon linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë me mbështetje të BE dhe institucioneve ndërkombëtare

Shqipëria nis fazën e parë të modernizimit të linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, pjesë e rëndësishme e Korridorit Hekurudhor VIII, falë një pakete investimesh prej 120,5 milionë eurosh.

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se projekti do të financohet përmes një kombinimi kredish dhe grantesh nga institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian: 30 milionë euro kredi nga BERZH, 30 milionë euro kredi nga BEI dhe 60,5 milionë euro grant nga BE përmes WBIF.

Ky investim synon të krijojë një linjë hekurudhore moderne me standarde europiane, duke lidhur portin e Durrësit me zonat industriale dhe duke integruar rrjetin hekurudhor kombëtar me linjën Durrës-Tiranë dhe Aeroportin e Rinasit.

Ministri Malaj theksoi se Korridori VIII është një bosht i rëndësishëm i transportit rajonal, duke lidhur bregdetin adriatik me Detin e Zi dhe duke ofruar një alternativë efikase për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve.

Projekti pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë vendore, duke mundësuar qarkullimin e rreth 170 mijë udhëtarëve dhe 480 mijë tonë mallrash në vit, uljen e kostove të transportit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e turizmit në zonat përreth. Grantet e BE-së ulin kostot e financimit, duke sjellë një normë reale interesi prej rreth -3,4%, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë siguron standarde të larta teknike dhe menaxheriale.

Në përfundim, ministri Malaj bëri thirrje për mbështetje në Kuvend, duke theksuar rëndësinë e projektligjeve për integrimin europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT