Kryetari i Dollnenit, Blerim Islami: Po asfaltohet rruga Desovë–Dupjaçan, premtimet po i kthejmë në vepra

DOLLNEN – Ka nisur sot zyrtarisht procesi i asfaltimit të rrugës Desovë–Dupjaçan, një projekt jetik ky që i jep fund pritjes disa dekadëshe të banorëve të kësaj zone. Ky aks rrugor, i cili për një kohë të gjatë kishte mbetur i lënë pas dore nga strukturat e mëparshme të pushtetit lokal, tashmë po i nënshtrohet një rindërtimi të plotë infrastrukturor.

 

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Dollnenit, Blerim Islami, i cili përmes një njoftimi ka theksuar se jetësimi i këtij projekti tregon përkushtimin e plotë të udhëheqjes komunale për të përmirësuar infrastrukturën dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Ëndrra e shumëpritur po bëhet realitet! Sot nis asfaltimi i rrugës Desovë–Dupjaçan, një rrugë që për dekada me radhë ka pritur rindërtimin. Jemi shumë të lumtur që po punojmë për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mirëqenien e banorëve të kësaj ane. Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për t’iu përgjigjur çdo nevoje dhe kërkese të qytetarëve,” u shpreh kryetari Islami, duke shtuar se premtimet po kthehen në vepra konkrete me angazhim maksimal.

Sipas autoriteteve lokale, ky investim i rëndësishëm do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e lirë të banorëve, do të rrisë sigurinë në komunikacion dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të kësaj pjese të Komunës së Dollnenit. Punimet në terren po zhvillohen me dinamikë të lartë për të përmbyllur me sukses këtë projekt të shumëpritur.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT