STRUGË – Mbështetja për humanizmin dhe forcimi i solidaritetit mbeten prioritete të larta për Komunën e Strugës. Kryetari i Komunës, Mendi Qyra, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së objektit të rinovuar të Kryqit të Kuq në Strugë, një investim që synon përmirësimin e kushteve për shërbimet humanitare në qytet.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Qyra vlerësoi lart rolin e Kryqit të Kuq, duke e cilësuar atë si një shtyllë jetike për kujdesin ndaj kategorive më të cenueshme të shoqërisë. Ai theksoi se kjo organizatë çdo ditë dëshmon vullnetin për ndihmë dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Komuna e Strugës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e organizatave që me punën e tyre krijojnë vlera reale dhe kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve,” u shpreh ndër të tjerash Qyra.
Si mirënjohje për kontributin e tij të vazhdueshëm dhe angazhimin si filantrop në shërbim të komunitetit, Kryqi i Kuq i ndau një mirënjohje të veçantë kryetarit Mendi Qyra.
Ky investim në infrastrukturën e Kryqit të Kuq shënon një hap tjetër drejt krijimit të një rrjeti më efikas të ndihmës sociale dhe solidaritetit në Strugë, duke bashkuar institucionet lokale dhe sektorin humanitar për një qëllim të përbashkët.


