SHKUP – Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëherësh pjesë e koalicionit qeverisës VLEN, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim pune me profesorin e njohur të së Drejtës Kushtetuese, Jeton Shasivari. Në fokus të bashkëbisedimit ishte hartimi dhe implementimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Gjatë takimit, Kasami dhe Shasivari kanë diskutuar gjerësisht mbi rëndësinë që ky ligj ka për ndërtimin e institucioneve të barabarta dhe forcimin e demokracisë në vend. Sipas kreut të Besës, ky mekanizëm ligjor mbetet shtylla kryesore për garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve në administratën shtetërore.
“Zhvilluam një bisedë të hapur dhe gjithëpërfshirëse rreth rëndësisë së këtij ligji për ndërtimin e institucioneve më të barabarta. Diskutuam për sfidat aktuale dhe nevojën për zbatim të plotë, që siguron stabilitet për ekonominë dhe mundësi për zhvillim,” u shpreh Kasami pas takimit.
Takimi vjen në një periudhë kur debati për përfaqësimin etnik dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme ligjore – pas shfuqizimit të “Balancuesit” – është në qendër të vëmendjes politike. Përfshirja e ekspertëve të fushës kushtetuese, siç është prof. Shasivari, shihet si një hap drejt sigurimit të një baze të fortë juridike për reformat e ardhshme.
Në bashkëbisedim u vu theksi edhe te sfidat e zbatimit të ligjit në praktikë, duke kërkuar që procesi të jetë transparent dhe në përputhje me standardet më të larta të përfaqësimit dhe meritokracisë.


