Unionet studentore thirrje komunitetit juridik: Na mbështetni në protestën e 6 prillit për provimin e jurisprudencës në shqip

TETOVË/SHKUP – Unionet e studentëve nga tre universitetet kryesore në vend, Universiteti i Tetovës (UT), Universiteti “Nënë Tereza” (UNT) dhe Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), kanë lëshuar sot një thirrje publike drejtuar të gjithë profesionistëve të drejtësisë për t’u solidarizuar me kauzën e tyre.

 

Përmes një komunikate për media, studentët kërkojnë mbështetjen e gjykatësve, prokurorëve, avokatëve dhe përmbaruesve (alumni të këtyre universiteteve), që t’u bashkohen në protestën e paralajmëruar për datën 6 prill, në ora 12:30.

Kërkesa kryesore: Jurisprudenca në gjuhën shqipe

Në qendër të këtij mobilizimi është kërkesa për respektimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore – konkretisht, sigurimi i mundësisë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas unioneve studentore, kjo nuk është vetëm një kërkesë teknike, por një çështje e dinjitetit profesional dhe barazisë para ligjit.

“Synojmë mobilizimin dhe solidarizimin e komunitetit juridik në një çështje që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj,” thuhet në thirrjen e unioneve.

Thirrje për solidaritet ndërgjeneracional

Studentët kërkojnë që profesionistët e afirmuar, të cilët dikur kanë qenë pjesë e këtyre bankave akademike, të tregojnë forcën e tyre kolektive për të mbrojtur standardet e bashkëjetesës dhe të drejtat gjuhësore në sistemin e drejtësisë.

Unionet e studentëve kanë bërë thirrje që ky informacion të trajtohet me rëndësi të veçantë nga opinioni publik, duke paralajmëruar se mbrojtja e të drejtave akademike është parakusht për një sistem drejtësie të drejtë dhe evropian.


Detajet e protestës:

  • Data: 6 prill 2026

  • Ora: 12:30

  • Organizatorët: Unionet e studentëve UT, UNT, UEJL.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT