Kryetari Muhamet Elmazi inspekton punimet në Rashçe: Rruga kryesore po rregullohet, qarkullimi pritet të lehtësohet së shpejti

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, së bashku me deputeten e zonës, Feride Haxhiu, inspektuan nga afër punimet që po kryhen në fshatin Rashçe, ku po rregullohet sistemi i ujërave atmosferike dhe po nivelizohet rruga kryesore.

 

Në këtë segment, prej vitesh banorët kanë hasur në vështirësi të mëdha qarkullimi, sidomos gjatë reshjeve, kur uji grumbullohej dhe e bënte rrugën të pakalueshme. Kryetari Elmazi theksoi se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar dhe se ndërhyrja është prioritet për komunën.

“Vijojmë me intensitet të lartë punimet infrastrukturore. Për një kohë të shkurtër, banorët e Rashçes do të lëvizin pa pengesa në rrugën kryesore,” deklaroi Elmazi.

Edhe deputetja Haxhiu vlerësoi rëndësinë e projektit, duke theksuar se investime të tilla përmirësojnë cilësinë e jetës së komunitetit dhe sigurojnë qarkullim të sigurt për të gjithë.

Projekti pritet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar, duke sjellë një zgjidhje afatgjatë për një nga problemet infrastrukturore më të theksuara të kësaj zone.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT