Sulmuesi anësor shënoi në fitoren 5:0 ndaj Europa FC, ndërsa iu anulua edhe një gol tjetër për pozicion jashtë loje.
Starti i fushatës evropiane në UEFA Conference League solli një fitore bindëse 5:0 për Shkëndijën ndaj Europa FC, por edhe një moment special për përforcimin e verës, Almir Kryeziu.
I inkuadruar në lojë në minutën e 63-të, Kryeziu gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 83-të duke çuar shifrat në 4:0. Vetëm pak minuta më vonë, ai tundi rrjetën për herë të dytë, mirëpo goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Pas përfundimit të takimit, anësori u shpreh tejet i kënaqur me impaktin e tij të parë dhe rëndësinë e këtij triumfi:
“Së pari, jam shumë i lumtur për arritjen e fitores, pasi kjo ka rëndësi, që e bëmë… e bëmë shumë të lehtë ndeshjen. Duket lehtë, po besoj që nuk ishte shumë… shumë e lehtë. Gjithashtu, jam shumë i kënaqur për debutimin ku arrita ta ndihmoj ekipin me një gol. Debutimi të jep vetëbesim, i jep vetëbesim çdo lojtari,” deklaroi Kryeziu.
I pyetur për momentin e golit të dytë të anuluar, i cili nga pamjet filmike la dyshime, sulmuesi u shpreh:
“Po edhe te ai goli, fillimisht mendova që është… është gol i rregullt, po ashtu ishte, offside. Duhet… duhet me mendu për ndeshjen e radhës, ta japim maksimumin, të shënojmë gola atje,”shtoi ai.
Pavarësisht avantazhit të thellë prej pesë golash, Kryeziu kërkon që skuadra të mos e nënvlerësojë sfidën e kthimit në Shkup, por ta shfrytëzojë atë për të mbajtur ritmin dhe kontrollin e lojës:
“Ndeshjes së kthimit duhet t’i qasemi me seriozitet shumë të madh, siç iu qasëm kësaj ndeshjeje, edhe ta kontrollojmë sa më shumë atë ndeshje,” përfundoi Almir Kryeziu.
Shkëndija sot kthehet në Tetovë dhe menjëherë nis përgatitjet për ndeshjen e kthimit me Europa FC të enjten e ardhshme në Shkup.


