Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm në La Liga, duke u renditur aktualisht në mesin e tre golashënuesve më të mirë të kampionatit spanjoll.
Pas javës së fundit, listës së golashënuesve i prin Kylian Mbappé i Real Madridit me 17 gola dhe katër asistime. Në vendin e dytë renditet Ferran Torres i Barcelonës me 11 gola dhe një asistim, ndërsa Vedat Muriqi mban vendin e tretë me nëntë gola të shënuar.
Kosovari po shkëlqen me fanellën e Mallorcas këtë sezon, duke e kaluar tashmë numrin e golave që kishte realizuar në secilin nga dy sezonet e fundit së bashku. Forma e tij e ka lënë prapa emra të mëdhenj të La Ligas, si Robert Lewandowski, Julian Alvarez, Lamine Yamal dhe Raphinha.
Në ndeshjen e fundit të javës së 16-të, Muriqi shënoi një supergol me kokë në fitoren 3:1 të Mallorcas ndaj Elches, duke konfirmuar momentin e shkëlqyer që po kalon.
Deri më tani, sezoni më i suksesshëm për Muriqin mbetet ai 2022/2023, kur me Mallorcan realizoi 15 gola dhe regjistroi tri asistime në 35 paraqitje në La Liga. Me ritmin aktual dhe rolin kyç që ka në skuadër, 31-vjeçari ka çdo mundësi ta tejkalojë këtë shifër dhe të vendosë një rekord personal.
Performancat e tij jo vetëm që po e ndihmojnë Mallorcan në objektivat e sezonit, por po e konfirmojnë Muriqin si një nga sulmuesit më efikasë të kampionatit spanjoll, duke e vendosur atë në elitën e golashënuesve të La Ligas.


