Situata me menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri ka ngritur shqetësime serioze në Bruksel. Eurodeputetët kanë reaguar pas rastit të transferimit të mbeturinave shqiptare drejt Kroacisë përmes rrugës detare, duke e konsideruar këtë një sinjal alarmi për politikat mjedisore të vendit.
Eurodeputeti gjerman Sebastian Everding theksoi se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e mjedisit, duke përmirësuar menaxhimin e mbetjeve dhe duke investuar në riciklim. Ai sugjeroi edhe krijimin e një sistemi depozitimi për shishet e pijeve si një hap konkret drejt standardeve evropiane.
“Shqipëria duhet të angazhohet më fort në shpëtimin e natyrës dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave. Megjithatë, jam optimist për ecurinë e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Vendi ka një perspektivë të qartë dhe po bën përpjekje për të përshpejtuar këtë proces”, u shpreh Everding.
Eurodeputeti gjerman vlerëson se anëtarësimi i Shqipërisë në BE para vitit 2030 është i mundur, por thekson se reformat duhet të përshpejtohen, veçanërisht në fushën e mjedisit dhe luftës kundër korrupsionit.
“Reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian janë duke u zbatuar, por lufta kundër korrupsionit mbetet thelbësore. Në këtë drejtim, puna e SPAK-ut duhet vlerësuar”, shtoi ai.
Viti 2025 shënon përparimin më të madh të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pasi vendi ka avancuar me ritëm të paprecedentë në negociatat e anëtarësimit, duke hapur të gjashtë grupet e negociatave brenda pak më shumë se një viti.


