Kompania ajrore gjermane “Lufthansa” do të ndërpresë fluturimet midis Frankfurtit dhe Shkupit, pas më shumë se tre viteve operimi. Megjithëse fillimisht u njoftua se linja do të pezullohej për një muaj (nga 1 qershori deri më 1 korrik), kompania tashmë ka vendosur të anulojë të gjitha fluturimet deri në fund të verës, si dhe për sezonin e ardhshëm dimëror që nis më 25 tetor. Si alternativë për udhëtarët drejt Shkupit, “Lufthansa” ofron fluturimet përmes Vjenës me filialin e saj, “Austrian Airlines”.
Transportuesi gjerman e ka mbajtur këtë linjë me shtatë deri në dhjetë fluturime në javë, varësisht nga periudha e vitit, ndërsa gjatë këtij dimri frekuenca ishte reduktuar në vetëm tre fluturime javore.
Ky vendim vjen si pasojë e strategjisë më të gjerë të “Lufthansa Group”, e cila po ridizajnon rrjetin e saj evropian duke përqendruar operacionet te transportuesit e saj kryesorë. Këto ndryshime kanë sjellë korrigjime të shumta të orareve dhe shkurtime të linjave të caktuara në rajon.
Muaji prill ishte mjaft turbullt për kompaninë, e cila u përball me greva të punëtorëve, mbylljen e filialit të saj “CityLine” dhe pezullimin e shumë rrugëve ajrore. Edhe pse u njoftua rikthimi i fluturimeve nga Mynihu drejt disa destinacioneve të rajonit që u prekën nga mbyllja e “CityLine”, këtë javë kompania ka ulur sërish frekuencat e planifikuara.
Linja Frankfurt–Shkup u hap në fund të prillit të vitit 2023 dhe fillimisht u konsiderua si një kapacitet i rëndësishëm i grupit në tregun ballkanik. Megjithatë, reduktime serioze u vërejtën që gjatë sezonit të kaluar dimëror, kur dhjetë fluturimet e planifikuara javore u reduktuan në vetëm tre gjatë shkurtit dhe marsit. Për krijimin e kësaj rruge, kompania kishte shfrytëzuar edhe subvencione qeveritare, të cilat ishin valide deri më 30 dhjetor 2025.


