Luljeta Mehmeti-Quigley, një nga zyrtaret e para policore të Kosovës dhe e para femër e graduar rreshtere nga radhët e Policisë së Kosovës në vitin 2001, ka arritur një tjetër moment historik në karrierën e saj profesionale. Ajo është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, një nga programet më prestigjioze të trajnimit policor në botë.
Mehmeti-Quigley iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000, menjëherë pas themelimit të institucionit, duke qenë ndër figurat e para femërore që kontribuuan në ngritjen e strukturave të sigurisë në vend. Për vite me radhë ajo mbajti pozita komanduese, para se të zhvendosej në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2013 ajo u rikthye për të vazhduar shërbimin në Policinë e Kosovës.
Tani, me diplomimin nga Sesioni 296 i Akademisë Kombëtare të FBI-së, Mehmeti-Quigley shënon një tjetër arritje të rëndësishme. “Ceremonia e Diplomimit të Sesionit 296 të Akademisë Kombëtare të FBI-së! Përvojë jetësore, krenare që jam e diplomuar në FBI”, ka shkruar ajo.
Shoqata Amerikane-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) e ka vlerësuar këtë sukses si moment historik, veçanërisht për gratë shqiptare në fushën e sigurisë. “Një moment krenarie për komunitetin tonë dhe për të gjitha gratë në zbatimin e ligjit, duke thyer barrierat dhe duke frymëzuar breza të tërë. Bravo Kosovë”, thuhet në reagimin e AALEA-s.


