Mexhiti merr pjesë në sesionin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ në Bruksel

Në Bruksel po zhvillohet sesioni i Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC) pranë Komitetit Evropian të Rajoneve, ku marrin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal dhe rajonal nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet kandidate për anëtarësim.

 

Gjatë punimeve të sesionit, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me procesin e integrimit evropian, duke vënë theks të veçantë te roli i komunave në zbatimin e reformave dhe afrimin e standardeve lokale me ato të Bashkimit Evropian.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik për Maqedoninë e Veriut dhe se pushteti lokal ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces.

“Komunat janë hallka më e afërt me qytetarët dhe bartëse të rëndësishme të reformave evropiane në nivel lokal. Përmes bashkëpunimit me partnerët tanë evropianë, shkëmbimit të përvojave dhe zbatimit të praktikave më të mira, ne kontribuojmë drejtpërdrejt në avancimin e agjendës eurointegruese të vendit. Rruga drejt anëtarësimit kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe koordinim të ngushtë ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, forumi në Bruksel paraqet një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe rajoneve, si dhe për promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset vendimmarrëse që lidhen me integrimin evropian.

Diskutimet në kuadër të sesionit u përqendruan në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vazhdimin e reformave dhe fuqizimin e kapaciteteve të pushtetit lokal, si faktor i rëndësishëm në afrimin e Maqedonisë së Veriut me familjen evropiane.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT