Miratimi i Planit Operativ për punësim për vitin 2026 është një tjetër dëshmi se VLEN po ndërton politika që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Me 40 milionë euro investim dhe më shumë se 10 mijë përfitues, ky plan përkthehet në mbështetje reale për mbi 10 mijë familje që jetojnë dhe kontribuojnë në Maqedoninë e Veriut.
Përmes mbështetjes për vetëpunësim, sipërmarrësi, trajnime profesionale dhe vende të reja pune, krijohen mundësi konkrete për të rinjtë, gratë dhe të gjithë ata që kërkojnë një perspektivë më të sigurt ekonomike.
Qëllimi ynë si VLEN është i qartë: të rinjtë shqiptarë të mos e shohin të ardhmen jashtë Maqedonisë së Veriut si të vetmen mundësi. Ata duhet të kenë arsye për të qëndruar, për t’u kthyer, për të investuar, për të krijuar familje dhe për të ndërtuar një jetë dinjitoze në vendin e tyre.
Plani Operativ 2025 u shndërrua si një nga asetet më të fuqishme të VLEN-it. Mijëra të rinj e të reja fituan mundësi për punë dhe mbështetje, meqë parandalimi i migrimit nuk bëhet me fjalë, por me vende pune, mbështetje për bizneset dhe mundësi të barabarta për zhvillim. Me Planin Operativ 2026 vazhdojmë të njëjtin vizion, duke krijuar shpresë, siguri dhe perspektivë për çdo qytetar.


