Spitali i Përgjithshëm i Dibrës ka njoftuar bashkimin e të gjithë sektorit të radiodiagnostikës në një objekt të vetëm, i cili është renovuar tërësisht për të përmbushur nevojat e pacientëve. Tashmë, aparati për Rtg (Rreze-X), Eho dhe Mamografia janë vendosur në një hapësirë të përbashkët dhe moderne, duke u mundësuar qytetarëve që t’i marrin këto shërbime shëndetësore në një vend të vetëm, pa pasur nevojë të lëvizin nëpër koridore të ndryshme të spitalit.
Sipas drejtorit të spitalit, Mersim Koleci, ky investim synon përmirësimin e kushteve dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve duke kursyer kohën e pacientëve. Përmes këtij modernizimi, Spitali i Dibrës rikonfirmon përkushtimin për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe profesionale, duke e cilësuar përmirësimin e kushteve si një obligim primar ndaj komunitetit.


