SHKUP – Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM) ka marrë vendimin për të pezulluar për një periudhë dyvjeçare Muamed Sejdinon, ish-kryetarin e këtij institucioni, aktualisht delegat në Kuvendin e FFM-së. Masa disiplinore ndalon Sejdinon nga ushtrimi i çdo funksioni në futboll, pas vërtetimit të veprës “mashtrim dhe vënie në lajthitje të organeve të organizatës së futbollit”, bazuar në nenin 84 të Rregullores Disiplinore.
Hetimi ka zbuluar shkelje të rënda gjatë procesit të tenderimit për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.
Detajet e shkeljes:
Vendimi fillestar: Më 27 nëntor 2024, bordi i FFM-së pranoi ofertën e kompanisë “Energoinvest Trejd” për vlerën rreth 3.3 milionë euro (pa TVSH), me kushtin e prerë që të mos kishte pagesë avansi.
Abuzimi: Më 3 dhjetor 2024, duke keqpërdorur pozicionin e tij, Sejdini ka nënshkruar një kontratë ku kishte vjedhurazi vlerën e avansit prej 20%, kusht që nuk ishte pjesë e ofertës së miratuar.
Dëmi financiar: Shuma e avansit është paguar pa asnjë garanci bankare dhe pa autorizim nga organet drejtuese të Federatës.
Komisioni Disiplinor konstatoi se ky veprim i qëllimshëm ka sjellë një dëm të rëndë material për FFM-në dhe ka cenuar integritetin e institucionit. Për këto arsye, u vendos sanksioni maksimal për mashtrim administrativ brenda organizatës.


