NATO pret nga Serbia të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit në Banjskë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca pret që autoritetet serbe të zbatojnë drejtësinë për sulmin terrorist të kryer në Banjskë të Zveçanit, ku në shtator 2023 mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

 

Rutte iu përgjigj gazetarëve para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe bëri të ditur se ka diskutuar për këtë çështje edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Sipas tij, Vuçiç ka premtuar se do të punojë për të ndihmuar zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve.

“Paraardhësi im ka punuar për këtë çështje me presidentin Vuçiç. Edhe unë kam folur personalisht me të, dhe ai më tha se do të punojë në këtë drejtim. Ne presim nga autoritetet serbe të kryejnë pjesën e tyre të përgjegjësisë”, tha Rutte, përcjell ‘Euronews’.

Rasti dhe aktakuzat

Sulmi në Banjskë u krye nga një grup terrorist nga Serbia, i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Në këtë sulm humbi jetën polici kosovar Afrim Bunjaku.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 pjesëtarëve të grupit, ndërsa Kosova ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e Radoiçiçit dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT