Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandër Nikolloski, njoftoi se afati për përfundimin e aksit rrugor Tetovë – Gostivar – Bukojçan, pjesë e Korridorit 8, është shtyrë për dy vite shtesë, duke vendosur dhjetorin e vitit 2029 si afatin më të hershëm për finalizim. Sipas Nikolloskit, kjo vonesë vjen si pasojë e neglizhencës së qeverisë paraprake, e cila për dy vite nuk kishte bërë asnjë progres në projekt. Megjithatë, ai siguroi se pavarësisht shtyrjes së afateve, kostoja e projektit nuk do të rritet dhe nuk priten aneks-kontrata të reja financiare.
Përgjatë inspektimit të punimeve me kryeministrin Mickoski dhe përfaqësuesit e konzorciumit “Bechtel & Enka”, u theksuan sfidat teknike që lidhen me dislokimin e infrastrukturës ekzistuese jetike. Në pjesën Tetovë – Gostivar duhet të zhvendosen me kujdes lidhjet optike ndërkombëtare, largpërçuesit kryesorë të energjisë elektrike, rrjetet e ujësjellësit dhe kanali kryesor për ujitjen e fushës së Pollogut. Këto ndërhyrje janë të domosdoshme përpara se të fillojë ndërtimi i plotë i korsive të autostradës, për të shmangur ndërprerjet e shërbimeve bazë për qytetarët.
Sa i përket segmentit Gostivar – Bukojçan, ministri shpjegoi se terreni malor paraqet një vështirësi më vete, pasi kërkon anashkalimin e malit të Bukoviqit për të siguruar standardet e një autostrade me shpejtësi deri në 130 km/h. Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, konfirmoi se procesi i shpronësimit të tokës ka përfunduar plotësisht dhe se po punohet intensivisht që konzorciumi ndërtues të mos ketë pengesa administrative. Gjatë periudhës së verës pritet një intensifikim edhe më i madh i makinerisë në teren për të maksimizuar progresin e punimeve.


