Paqja po vjen? Plani me 20 pika drejt finalizimit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të udhëtojë këtë javë drejt Floridës për një takim vendimtar me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Në qendër të diskutimeve do të jenë çështjet territoriale, nyja më e vështirë që mban peng procesin e paqes.

 

Ky takim vjen në një moment kritik, kur plani i paqes me 20 pika dhe marrëveshja për garancitë e sigurisë janë drejt finalizimit. Zelensky u shpreh optimist se shumë çështje mund të marrin zgjidhje para fundit të vitit 2025.

Pikat e nxehta të bisedimeve:

  • Donbasi dhe Zaporizhia: Zelensky konfirmoi se do të diskutohet për fatin e rajoneve lindore dhe Centralin Nuklear të Zaporizhias, më i madhi në Evropë, aktualisht nën kontrollin rus.

  • Propozimi amerikan: Uashingtoni ka hedhur idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike në territoret që Ukraina mund t’i lëshonte, si një formulë kompromisi.

  • Referendumi popullor: Presidenti ukrainas ishte i prerë: çdo marrëveshje që prek territorin e vendit duhet të kalojë përmes vullnetit të popullit në një referendum.

Lëvizjet e Kremlinit:

Sipas raportimeve, Moska kërkon kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk (Donbas). Gazeta ruse “Kommersant” bën me dije se Vladimir Putin mund të jetë i gatshëm të tërhiqet nga disa pjesë të tjera të pushtuara të Ukrainës, me kushtin që i gjithë Donbasi t’i mbetet Rusisë.

Nga ana tjetër, Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, ka vendosur kontakte me administratën Trump pasi Moska ka marrë propozimet amerikane për marrëveshjen e mundshme të paqes.

Garancitë e sigurisë:

Zelensky shtoi se marrëveshja për garancitë e sigurisë midis Ukrainës dhe SHBA-së është pothuajse gati, ndërsa 90% e draftit të planit prej 20 pikash është përfunduar. Qëllimi i vizitës në Florida është “akordimi” final i këtyre propozimeve dhe hapja e mundësive për bashkëpunim ekonomik pas luftës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT