Bashkëshortja e trajnerit katalanas shfaqet në “Etihad Stadium” në ndeshjen e tij të lamtumirës, duke konfirmuar zërat për një pajtim të mundshëm pas krizës së vitit 2025.
Pep Guardiola dhe bashkëshortja e tij, Cristina Serra, janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave rozë. Raportimet e fundit nga mediat ndërkombëtare flasin për një afrim të madh mes çiftit, pas krizës së thellë që çoi në ndarjen e tyre gjatë vitit 2025.
Sipas mediave sportive britanike dhe spanjolle, Cristina Serra ishte e pranishme në tribunën e “Etihad Stadium” gjatë ndeshjes së fundit të Guardiolës në pankinën e Manchester City-t, gjë që ka shtuar edhe më shumë zërat për një pajtim zyrtar. Pas përfundimit të ndeshjes, tekniku katalanas mbajti një fjalim mjaft emocionues para tifozëve, ku nuk ngurroi ta përmendte publikisht bashkëshorten dhe familjen e tij.
“Cris është një grua e jashtëzakonshme”, u shpreh Guardiola gjatë ceremonisë së lamtumirës, ndërsa mediat raportuan se Cristina mori pjesë edhe në foton zyrtare familjare që u realizua në mes të stadiumit.
Pep Guardiola dhe Cristina Serra u njohën në Barcelonë në vitin 1994 dhe kanë një histori dashurie që zgjat prej më shumë se 30 vitesh. Ata kurorëzuan martesën e tyre në vitin 2014 dhe kanë së bashku tre fëmijë. Në fillim të vitit 2025, mediat spanjolle raportuan për ndarjen e tyre, duke specifikuar se distanca e gjatë dhe angazhimet e ngjeshura profesionale kishin ndikuar negativisht në marrëdhënien e tyre.
Megjithatë, muajt e fundit flitet se Guardiola ka kaluar shumë kohë me Cristinën në Barcelonë, në përpjekje për të shpëtuar martesën, gjë që tashmë duket se ka dhënë rezultatet e dëshiruara.


