Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe njësitet përkatëse hetimore, ka zhvilluar një aksion të gjerë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Deri në këto momente, operacioni është përqendruar në bastisjen e më shumë se 40 lokacioneve në mbarë vendin, pa raportime për arrestime deri tani.
Arsyet e aksionit Ky operacion është rezultat i një hetimi disamujor që lidhet me dyshime për një skemë të organizuar kriminale. Në aksion janë përfshirë Prokuroria Speciale, Njësia e hetimeve tatimore e ATK-së dhe Njësia e hetimeve e Doganës së Kosovës.
Hetimet janë përqendruar në dyshime për pastrim parash, shmangie të pagesës së tatimeve dhe doganave, si dhe kryerjen e transaksioneve fiktive në sektorin e derivateve të naftës. Dyshohet se kompani importuese nga Shqipëria kanë shfrytëzuar kompani fiktive dhe aktive në Kosovë për të importuar ujë në vend të naftës, me qëllim fshehjen e gjurmëve të transaksioneve.
Gjithashtu, autoritetet dyshojnë se bizneset e përfshira kanë lëshuar fatura fiktive për importe të pretenduara të naftës, duke synuar shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e paligjshëm financiar.
Aksioni mbetet ende në zhvillim e sipër.


