Prof. Ord. Nora Halimi e përfaqësoi Universitetin e Tetovës në Konferencën Ndërkombëtare ICAE 2026

Prof. Ord. Nora Halimi, profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës, mori pjesë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare mbi Artet dhe Edukimin – ICAE 2026, me temë “Krijimtaria, trashëgimia dhe edukimi artistik në epokën e teknologjisë”, e cila u zhvillua më 11–12 qershor 2026 në Universitetin e Arteve në Tiranë.

 

Në këtë veprimtari shkencore ndërkombëtare morën pjesë studiues, pedagogë, artistë dhe doktorantë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Italinë dhe Greqinë. Konferenca shërbeu si një forum i rëndësishëm akademik për diskutimin e sfidave dhe zhvillimeve bashkëkohore në fushën e arteve, trashëgimisë kulturore dhe edukimit artistik, duke nxitur dialogun ndërdisiplinor dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Në kuadër të programit shkencor të konferencës, Prof. Ord. Nora Halimi e prezantoi punimin e saj me titull “Roli i rrëfimit në edukimin e dizajnit grafik: Fuqia e narrativës”, i cili trajton narrativën si një komponent thelbësor në procesin e mësimdhënies së dizajnit grafik. Punimi vë në pah ndikimin e rrëfimit në zhvillimin e mendimit kritik dhe krijues, në ndërtimin e identitetit vizual, si dhe në përforcimin e aftësive komunikuese të studentëve përmes gjuhës së dizajnit.

Përveç prezantimit të punimit, Prof. Ord. Nora Halimi u angazhua edhe në cilësinë e moderatores së sesionit të parë në fushën e arteve pamore, ku drejtoi diskutimet shkencore dhe koordinoi shkëmbimin e ideve ndërmjet pjesëmarrësve nga institucione të ndryshme artistike. Roli i saj kontribuoi në krijimin e një dialogu konstruktiv mbi qasjet bashkëkohore të kërkimit dhe praktikës artistike.

Pjesëmarrja e saj në ICAE 2026 përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kërkimit shkencor dhe artistik, si dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT