Protesta në Qipro kundër bazave britanike: Qytetarët kërkojnë mbylljen e tyre pas sulmeve me drona

Nikosia, 08 Mars 2026 – Zemërimi popullor ka shpërthyer në rrugët e Nikosias, ku qindra qytetarë kanë marshuar drejt pallatit presidencial me thirrjet “Jashtë bazat e vdekjes”. Protestat vijnë pas një sulmi të paprecedentë me drona kamikazë (të prodhimit iranian) mbi bazën e forcave ajrore britanike (RAF) në Akrotiri. Banorët lokalë i shohin këto objekte ushtarake si një “magnet” rreziku që mund ta tërheqë Qipron në një luftë të gjerë me Iranin dhe aleatët e tij në Liban.

 

Ministri i Jashtëm qipriot, Konstantinos Kombos, konfirmoi se dronët u lëshuan nga Libani, duke treguar se situata e sigurisë është në pikën më kritike që nga viti 1974. Edhe pse Britania ka dërguar përforcime me avionë F-35, helikopterë “Wildcat” dhe pritet ardhja e shkatërruesit HMS Dragon, autoritetet qipriote ankohen se paralajmërimet e tyre për rrezikun ndaj bazave nuk u morën seriozisht nga Londra vitin e kaluar.

Përballë këtij kërcënimi, Qipro po kërkon anëtarësimin në NATO (të bllokuar nga Turqia) dhe ka forcuar mbrojtjen me ndihmën e vendeve evropiane. Ndërkohë, protestuesit akuzojnë Britaninë për fshehje të fakteve rreth dëmeve në bazë, ku u godit një hangar që përdorej nga inteligjenca amerikane. Presidenti Christodoulides ka deklaruar se, në këto kushte, “asgjë nuk përjashtohet” sa i përket të ardhmes së pranisë ushtarake britanike në ishull.


/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT