Shumica dërrmuese e qytetarëve në Sllovaki kërkojnë që deputetët dhe ministrat t’i nënshtrohen testeve për alkool dhe drogë, njësoj si punonjësit e zakonshëm. Kështu tregon një sondazh i realizuar nga agjencia SCIO, i publikuar nga media sllovake Pravda.
Sipas anketës, 98 për qind e të pyeturve janë shprehur pro kryerjes së kontrolleve të rregullta për politikanët. Mbështetja është pothuajse identike sipas gjinisë: 97.7 për qind e grave dhe 98.3 për qind e burrave janë në favor të kësaj mase.
Debati u ndez edhe më shumë pas deklaratave të liderit të lëvizjes “Hnutia Slovensko”, Igor Matoviç, i cili akuzoi deputetët e koalicionit qeverisës se konsumojnë alkool gjatë seancave parlamentare.
“Sa më i rëndësishëm të jetë ligji, aq më shumë deputetë të dehur votojnë për të. Në çdo kompani normale, punonjësit që paraqiten të dehur do të largoheshin menjëherë nga puna”, deklaroi Matoviç.
Ai theksoi se alkooli ul përqendrimin dhe aftësinë për gjykim, duke shtuar se deputetët në gjendje të dehur nuk marrin vendime në përputhje me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë e tyre. Sipas tij, qytetarët sllovakë kërkojnë politikanë që të jenë plotësisht të kthjellët kur vendosin për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve.
Sondazhi është realizuar në periudhën 10–14 nëntor dhe ka përfshirë një mijë qytetarë të rritur nga e gjithë Sllovakia.


