Gjatë një video live nga Samiti i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj vendit, duke mundësuar që Kosova të përfitojë miliona euro ndihmë financiare që në fillim të vitit 2026.
Teksa po prezantonte lajmin, fjalës së saj i hyri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e lavdëroi publikisht: “Kjo grua ka qenë e jashtëzakonshme sot! I ka zhbllokuar të gjitha fondet e bllokuara dhe është merita e saj 100%, bravo të qoftë.”
Osmani, e shoqëruar me të qeshura, theksoi se realiteti duhet thënë dhe falenderoi edhe Shqipërinë dhe kryeministrin Rama për përkrahjen.
Sipas analizave, këto masa ndëshkuese kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro për projekte të pezulluara ose të shtyra, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht. Sektoret më të prekur përfshijnë mjedisin (350 milionë euro), energjinë (114 milionë euro), digjitalizimin (57 milionë euro) dhe kulturën (15 milionë euro).
Nga këto fonde, 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe 395 milionë euro për projekte të Kornizës për Investime të BE-së në Ballkanin Perëndimor (WBIF).


