Prishtinë, 09 dhjetor 2025 – Kryeministri Albin Kurti njoftoi se nga janari i ardhshëm paga minimale në sektorin privat do të rritet në 500 euro. Lajmi, megjithatë, ka shkaktuar reagime, veçanërisht nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komandant “Remi”, Rrustem Mafa, e ka quajtur këtë vendim si “padrejtësi”, duke theksuar se veteranët e UÇK-së vazhdojnë të përjashtohen nga kjo e drejtë. Ai ka ngritur pyetje për mënyrën se si mund të justifikohet një vendim që ua mohon veteranëve pagën minimale, duke i larguar nga ligji që u takon me dinjitet.
“Respekti për veteranët nuk matet me fjalë, matet me vepra,” shkruan Mafa, duke kërkuar që drejtësia për personat që dhanë jetën dhe shërbuan për lirinë e vendit të vihet në vend.
Vendimi për rritjen e pagës minimale është pjesë e masave të qeverisë për përmirësimin e standardit të jetesës në sektorin privat, por mbetet i diskutueshëm për grupet që vazhdojnë të ndihen të margjinalizuar.


