Në selinë e Partisë Demokratike sot u shfaqën tensione të forta nga anëtarët e degës së Durrësit, të cilët kërkojnë garë të barabartë për kryetar dhe ballafaqim me Sali Berishën pas përjashtimeve të fundit.
Lavdosh Serani, kryetar i grup seksionit në zonën e Plazhit, u shpreh se ka qenë “ushtar i Berishës për 33 vite”, por sot mbështet Ervin Salianjin. Ai kërkoi hapjen e garës së lirë, duke deklaruar se nëse demokratët votojnë pa presion, Berisha nuk do të zgjidhet më kryetar. “Ose t’ia ndërrojë emrin partisë dhe ta quajë Partia e Xhaxhit Enver, sepse është bërë kështu: nxirr Saliun, nxirr diçka kot”, tha Serani.
Në të njëjtën kohë, Dritan Burgija, kreu i grupit të këshilltarëve në Këshillin Bashkiak të Durrësit, dhe Arlind Boshku, sekretar i degës së PD në Durrës, kërkuan shpjegime për përjashtimin e tyre. Burgija e cilësoi vendimin “anti statutor” dhe kërkoi prova konkrete për akuzat ndaj tij dhe kolegut. Ai mohoi çdo bashkëpunim me PS, duke e quajtur “gënjeshtër të madhe”.
Sipas Burgijës, foltorja e organizuar nga Salianji në Durrës ka vënë në lëvizje PD-në, duke nxitur reagime të forta nga baza. “Deputetët dolën në terren dhe i thonin Berishës se qytetarët nuk po vijnë në takime. Pse nuk vjen Berisha në Sukth?”, u shpreh ai.
Këto zhvillime tregojnë përplasjen e brendshme në PD, ku një pjesë e anëtarëve kërkon hapje të garës dhe ndryshim të lidershipit, ndërsa përjashtimet kanë shtuar revoltën në bazë.


