Nga aleat në kundërshtar: Péter Magyar, rivali i Viktor Orbán

Dikur pjesë e strukturave të Fidesz dhe aleat i afërt i pushtetit, sot Péter Magyar është shndërruar në kundërshtarin më të rrezikshëm politik për kryeministrin hungarez Viktor Orbán. Në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, sondazhet e nxjerrin pranë një fitoreje historike.

 

Në moshën 45-vjeçare, Magyar përfaqëson një histori që për shumë votues duket si narrativë klasike politike: nga “brenda sistemit” në sfiduesin e tij më të fortë. Ai akuzon qeverinë për korrupsion, klientelizëm dhe degradim moral.

Karriera e tij politike lidhet ngushtë me Fidesz, ku u bashkua në vitin 2003. Ish-bashkëshortja e tij, Judit Varga, ishte ministre e Drejtësisë, por karriera e saj përfundoi pas një skandali të madh. Në këtë klimë, Magyar u shkëput nga partia, duke e akuzuar për manipulim dhe mbulim krizash.

Partia e tij, Tisza, ka fituar terren me shpejtësi, duke kryesuar në disa sondazhe. Strategjia e komunikimit përmes mediave sociale, ku përdor humor dhe ironi, e ka ndihmuar të kthejë sulmet në avantazh politik.

Programi i tij fokusohet në përmirësimin e shërbimeve publike, ringjalljen e ekonomisë dhe luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, ai mbetet një figurë nacionaliste dhe pragmatike, duke mbështetur importet e energjisë ruse si të domosdoshme për ekonominë evropiane.

Rritja e tij nuk ka ardhur pa polemika: marrëdhënia e tensionuar me ish-bashkëshorten dhe publikimi i bisedave private kanë shkaktuar debat publik. Ai është përballur me akuza për skandale, të cilat i cilëson si fushata diskredituese nga Fidesz.

Zgjedhjet e 12 prillit pritet të jenë një moment vendimtar për Hungarinë: një përballje mes një lideri që ka dominuar politikën për më shumë se një dekadë dhe një sfiduesi që vjen nga brenda sistemit, duke kërkuar të rrëzojë status quo-në.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT