Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se brenda 24 orëve nga aktivizimi provë i sistemit “Safe City” janë regjistruar 110,000 shkelje vetëm në territorin e Qytetit të Shkupit, përcjell TV21. Sipas Toshkovskit, pjesa më e madhe e tyre ishin për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.
“Nuk po them se ‘Safe City’ është perfekt, sigurisht do të ketë disa elementë që do të duhet t’i përmirësojmë dhe do të shohim se mund të bëhet edhe më mirë. Jemi të hapur të veprojmë drejt përmirësimit të sistemit. 110,000 shkelje në Shkup janë regjistruar në 24 orë, 5,000 shkelje për kalim me të kuqe, dhe 90% e shkeljeve janë tejkalim shpejtësie”, tha Toshkovski.
Ai shtoi se në periudhën e ardhshme do të vendoset se sa do të jetë toleranca për tejkalimin e shpejtësisë.
“Ka vende në Evropë ku nuk ka tolerancë fare, ka vende ku toleranca është 10% mbi shpejtësinë e lejuar. Do të diskutojmë në periudhën e ardhshme dhe do të vendosim,” deklaroi Toshkovski.


