PRISHTINË – Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri, i cili ka dalë nga zgjedhjet e qershorit.
Gjatë deklarimit të saj, Haxhiu theksoi se krijimi i institucioneve të reja është përgjegjësi e të gjitha partive parlamentare dhe se duhet të shmangen zgjedhjet e reja. Caktimi i kësaj date vjen në një periudhë kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë pezulluar.
„Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politik për çështjen e presidentit kam vendosur që menjëherë pas certifikimit të mos e thërras me nguti seancën konstituive, por të shfrytëzoj afatin që lejon kushtetuta për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe ndërtimin e një konsensusi,“ u shpreh Haxhiu.
Afatet dhe situata politike
Afati i fundit kushtetues për mbajtjen e seancës konstituive ishte 7 gushti. Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, me konstituimin e Kuvendit nis periudha 60-ditore gjatë së cilës deputetët e rinj duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.
Sipas rezultateve të certifikuara, mandate në Kuvend janë ndarë si më poshtë:
-
Lëvizja Vetëvendosje (LVV): 53 mandate
-
PDK: 22 ulëse
-
LDK: 18 ulëse
-
Aleanca: 7 ulëse
Partia fituese, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe, i kanë numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet një marrëveshje e gjerë politike dhe prania e të paktën 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit. Në rast dështimi brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh, vendi do të shkonte sërish në zgjedhje të jahta parlamentare.


