Sela pas vendimit të Parlamentit Europian: Provimet shtetërore duhet të zhvillohen në gjuhën shqipe

Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka përshëndetur qëndrimin e fundit të Parlamentit Europian lidhur me të drejtën e studentëve shqiptarë për t’u shkolluar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën e tyre amtare. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Sela e ka cilësuar këtë si një fitore të madhe, duke nënvizuar se institucioni më i lartë i Bashkimit Europian ka dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë.

 

Sela thekson se Parlamenti Europian ka kërkuar që provimet shtetërore, përfshirë ato të jurisprudencës, të zhvillohen në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë themelore që buron edhe nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, ky qëndrim rrëzon çdo pretendim për metoda, ligje apo rregullore që kufizojnë përdorimin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor.

Kryetari i Lidhjes Shqiptare ka adresuar edhe shqetësimet mbi qeverisjen aktuale, për të cilën thotë se, përveç gjuhës, po synon të minojë edhe parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

“Parlamenti Europian ishte decid: Protestat studentore nuk janë as destabilizuese e as të politizuara. Përgëzime studentëve për këtë fitore të madhe,” ka shkruar Sela, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e të rinjve në këtë kauzë.

Në fund, Sela ka bërë thirrje për vazhdimin e betejës për barazinë e plotë të gjuhës shqipe, duke artikuluar kërkesën për barazi të plotë kushtetuese të gjuhës shqipe me gjuhën maqedone.

“Beteja jonë për gjuhën duhet të vazhdojë po njëjtë, të vendosur, pa kompromis deri në barazinë e tërësishme të Gjuhës Shqipe në Kushtetutë me gjuhën maqedone,” përfundoi Sela.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT