SHBA dhe Mali i Zi nisin negociatat për marrëveshje dypalëshe për forcimin e lidhjeve ekonomike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mali i Zi kanë nisur negociatat për një marrëveshje dypalëshe me qëllim forcimin e lidhjeve tregtare, investuese dhe ekonomike, njoftoi Ambasada amerikane në Podgoricë më 10 dhjetor.

 

Negociatat zhvillohen në kuadër të Dialogut Ekonomik SHBA-Mali i Zi 2025. Ambasada thekson se SHBA-ja është e njohur për inovacion dhe besueshmëri ekonomike, ndërsa kompanitë amerikane tregojnë interes të shtuar për mundësitë e biznesit në ekonominë në rritje të Malit të Zi.

Qëllimi i marrëveshjes është të nxisë investime të sektorit privat amerikan, të krijojë vende të reja pune në SHBA dhe Mal të Zi, të forcojë rolin e Malit të Zi si aleat i NATO-s dhe të hapë mundësi për prosperitet rajonal.

Në nëntë muajt e fundit, Mali i Zi ka nënshkruar katër marrëveshje ndërkombëtare me Francën, Hungarinë dhe dy me Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat lejojnë përzgjedhjen e kontraktorëve pa tender publik, në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe harmonizimin me rregullat e Bashkimit Evropian për prokurimet publike.

Analistët paralajmërojnë se këto marrëveshje mund të bartin rreziqe për transparencën dhe kontrollin e korrupsionit, duke u ofruar qeverive rrugë të shkurtra drejt investimeve, jashtë mekanizmave standardë të prokurimit publik. Komisioni Evropian do të mbikëqyrë zbatimin e këtyre marrëveshjeve për të siguruar përputhshmërinë me ligjet e BE-së.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT