Sileksi mposht Shkëndijën në finale dhe fiton Kupën e Maqedonisë

Sileksi është fituesi i ri i Kupës së Maqedonisë në futboll, pasi sonte në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” mposhti Shkëndijën e Tetovës me rezultat minimal 1-0. Me këtë triumf, skuadra nga Kratova përveç trofeut, siguroi edhe një vend që dërgon në garat evropiane, respektivisht në Ligën e Konferencës.

 

Kronika e ndeshjes

Sileksi e nisi më mirë takimin dhe rrezikoi që në minutën e 9-të përmes Aliq, goditja e të cilit u ndal nga portieri ganez i Shkëndijës, Amine Gaye. Pas këtij rasti, Shkëndija mori iniciativën dhe krijoi mundësinë e parë përmes Ndzengue me kokë, por portieri Xhekov dëboi topin në korner. Para përfundimit të pjesës së parë, Krasniqi u vonua për një pjesë të sekondës për të goditur drejt portës.

Pjesa e dytë nisi më mirë për kuqezinjtë e Tetovës. Trumçi pati një rast të mirë por gjuajti mbi portë, ndërsa më pas Latifi lëshoi një goditje të fuqishme, të cilën Xhekov e priti me një paradë fantastike.

Momenti vendimtar

Goli i vetëm dhe i fitores u shënua në minutën e 71-të. Fetai gaboi në mesfushë duke mos kontrolluar mirë topin, të cilin ia mori Dodev. Ky i fundit depërtoi bukur nga e majta dhe asistoi në mënyrë të vetëmohuar për Aliq, i cili nga një distancë prej 5-6 metrash mposhti portierin Gaye për 1-0.

Deri në fund të ndeshjes, Shkëndija u hodh në sulm për të gjetur golin e barazimit, por Sileksi u mbrojt me sukses dhe arriti të shpallej kampion i Kupës.

Protokolli i Ndeshjes

FINALE E KUPËS SË MAQEDONISË SILEKSI – SHKËNDIJA 1-0 (0-0)
Stadiumi: Arena Kombëtare “Todor Proeski” – Shkup
Shikues: 5.000
Gjyqtar: Igor Stojçevski
Golashenues: Aliq 71′
Kartonë të verdhë: Timovski, Pires, Gj. Xhekov (S) – Alhassan, Trumçi, Zejnulai, Mazari, Meliqi (Sh)

Formacionet zyrtare:

  • SILEKSI: Lj. Xhekov, Timovski (83′ Dimitrievski), Shubert, Buturoviq, Gj. Xhekov, Eftimov (65′ Mirçevski), Donov, Dodev (74′ Delimegjac), Angjeleski, Pires, Aliq (83′ Mishov).

    Trajner: Aleksandar Vasoski

  • SHKËNDIJA: Gaye, Trumçi, Fetai, Islami, Ajetoviq (81′ Mazari), Alhassan (70′ Meliqi), Zejnulai (81′ Krstevski), Krasniqi, Latifi, Tamba (58′ Spahiu), Ndzengue.

    Trajner: Jeton Beqiri

TË NDRYSHME

TË FUNDIT