Dyshimet për spiunazh dhe indiciet se janë nxjerrë të dhëna nga sistemi kompjuterik në Kabinetin e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, hapin informacione të reja që kanë mbërritur në “Sloboden Pecat”, për të cilat parahetim po zhvillon edhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ajo që rrit dyshimet në këtë rast është se Prokuroria ende nuk mund të sigurojë kopje të regjistrimeve të kamerave të sigurisë, ndonëse i ka kërkuar ato si nga Presidentja ashtu edhe nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (ShPPP) i Qeverisë.
Në adresë të redaksisë ka mbërritur një padi penale anonime, e cila është dorëzuar edhe në Prokurori, e nënshkruar nga “një grup punonjësish në MPB”. Sipas kësaj padie, të dhënat janë kopjuar dhe enkriptuar (koduar në një kod të fshehtë), me qëllim që të përfundonin tek shërbimet e huaja të inteligjencës.
Sipas informacioneve të treguara në padi, nën dyshim është një administrator i TI-së në Kabinetin e Presidentes, i cili dyshohet se ka kopjuar, enkriptuar dhe ruajtur të dhëna konfidenciale, si dhe ka qenë i lidhur me një shërbim inteligjence. Në padi përmenden edhe zyrtarë të tjerë nga Kabineti dhe nga Agjencia e Inteligjencës, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kenë marrë pjesë në fshehjen e provave, e madje edhe zyrtarë të lartë qeveritarë që dyshohet se kanë ndërhyrë tek presidentja dhe prokurorja për ta mbyllur rastin.
Nënshkruesit e padisë kërkojnë hapjen e procedurës me një prokuror tjetër, ekspertizë mjeko-ligjore (forenzike) të të gjitha pajisjeve elektronike, serverëve, telefonave dhe mediave të përdorura nga personat, mbledhjen e video-vëzhgimit, logjeve, regjistrimeve të VPN-ve, komunikimeve elektronike dhe listave të qasjes, si dhe kontrollimin e informacioneve të klasifikuara që mund të jenë komprometuar dhe komunikimeve të NATO-s.
“Sloboden Pecat” iu drejtua Kabinetit të Presidentes për këtë padi dhe informacionet në të, por nuk mori asnjë përgjigje.
Prokuroria po zhvillon parahetim
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një përgjigje për “Sloboden Pecat”, konfirmojnë se që nga dhjetori i vitit të kaluar po zhvillohet një parahetim për “ekzistencën e indicieve për aktivitete të paligjshme të ndërmarra me interes të lartë shtetëror”, pas një “alarmi” nga Sektori për Krimin Kompjuterik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili u dërgua në nëntor të vitit të kaluar.
Ata menjëherë kanë lëshuar urdhra për vërtetimin e mundshëm të këtyre dyshimeve, por deri më tani nuk kanë marrë informacione nga Sektori për Krimin Kompjuterik se çfarë ka pasur në të dhënat e nxjerra nga kompjuterët e Kabinetit të Presidentes, përkatësisht MPB-ja ende nuk ka dorëzuar raport se të dhënat janë dekrriptuara (dekoduara).
Në përgjigjen e saj, Prokuroria përshkruan në detaje të gjitha veprimet dhe urdhrat që ka lëshuar:
“Në kuadër të procedurës, Gjykatës Themelore Penale i është dorëzuar Kërkesë për lëshimin e urdhrit për kontrollin e sistemit kompjuterik, me qëllim të përcaktimit të përmbajtjeve që mund të jenë regjistruar pa autorizim nga sistemi informativ në Kabinetin e Presidentes. Njëkohësisht janë lëshuar edhe urdhra për nxjerrjen e të dhënave nga kompjuterët personalë dhe laptopët e dorëzuar në MPB nga Kabineti i Presidentes,” thonë nga Prokuroria.
Më 30 dhjetor, Sektorit për Krimin Kompjuterik, si organ kompetent për zbulimin e veprave penale dhe sigurimin e provave, i është dorëzuar urdhri për analizën e materialit dëshmues të nxjerrë. Pas disa muajsh, përkatësisht më 16 mars, MPB-ja ka dorëzuar një njoftim për masat e marra dhe ka dërguar dy celularë në Prokurori.
“Gjithashtu, OJO GOKK-së iu dorëzuan edhe dy telefona celularë të sekuestruar nga i denoncuari, me kërkesë për nxjerrjen e të dhënave të tyre në Qendrën e Hetuesisë të OJO GOKK, pas së cilës menjëherë u lëshua urdhri përkatës për veprim. Më pas, më 25.03.2026, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e lëndës, prokurori publik i dorëzoi MPB-së – Sektorit për Krimin Kompjuterik, urdhër për analizën e të dhënave nga telefonat celularë, si dhe një analizë të përbashkët të të dhënave të nxjerra nga pajisjet kompjuterike të përpunuara në Qendrën e Hetuesisë të OJO GOKK. Përveç kësaj, u kërkua edhe një analizë e veprimeve sipas urdhrit gjyqësor për inspektim dhe kërkim në sistemin informatik të Kabinetit të Presidentes, me detyrim që Prokurorisë t’i dorëzohet njoftim për provat e mbledhura. Deri më sot, me gjithë seriozitetin e lëndës, ndjeshmërinë e rrethanave dhe rëndësinë e veprimit në kohë, OJO GOKK nuk ka marrë njoftim nga MPB për rezultatet e veprimeve të ndërmarra, as për provat e mbledhura,” shpjegojnë nga Prokuroria.
Nuk mund të sigurohen kopjet e regjistrimeve
Ajo që rrit dyshimet në këtë rast është se Prokuroria ende nuk mund të sigurojë kopje të regjistrimeve të kamerave të sigurisë, ndonëse i ka kërkuar ato si te Presidentja, ashtu edhe nga Shërbimi qeveritar për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (ShPPP). Nga Kabineti i Presidentes janë përgjigjur se nuk kanë kopje të video-vëzhgimit, me arsyetimin se pajisjet janë furnizuar përmes ShPPP-së, ndërsa kompetenca për menaxhimin dhe ruajtjen e regjistrimeve i takon MPB-së. Nga ShPPP, nga ana tjetër, kanë thënë se nuk kanë asnjë regjistrim dhe se ata vetëm kanë prokuruar pajisjet. Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka dërguar asnjë njoftim për kopjet e video-vëzhgimit.
“Në fillim të vitit 2026, pas marrjes së njoftimit se Kabineti i Presidentes nuk disponon kopje të video-vëzhgimit, pasi pajisjet janë blerë përmes ShPPP-së, ndërsa kompetenca për menaxhimin dhe ruajtjen e regjistrimeve është e MPB-së, prokurori publik i çështjes iu drejtua si ShPPP-së ashtu edhe MPB-së për sigurimin e tyre urgjent. Nga ShPPP u mor njoftimi se institucioni nuk disponon video-regjistrime, por se kompetenca e tyre ka të bëjë ekskluzivisht me prokurimin e pajisjeve, ndërsa ruajtja dhe disponueshmëria e kopjeve të regjistrimeve është në kompetencë të MPB-së. Përkundër kësaj, nga ana e MPB-së deri më sot nuk është dorëzuar asnjë informacion kthyes, as njoftim për veprimet e ndërmarra lidhur me sigurimin e kopjeve të video-vëzhgimit,” sqarojnë nga Prokuroria.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe telefona celularë. Punonjësit e Kabinetit të Presidentes janë thirrur për bisedë informative, ndërsa provat po analizohen.
“Nga ana e Sektorit për Krimin Kompjuterik pranë MPB-së po ndërmerren masat dhe aktivitetet e duhura, përkatësisht janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe telefona celularë. Është në vijim analiza e të gjitha provave elektronike që janë nxjerrë nga pajisjet e sekuestruara. Është kryer një bisedë zyrtare me persona të punësuar në Kabinetin e Presidentes dhe për të njëjtët është dorëzuar njoftim në OJO GOKK. Pas zbardhjes së plotë të rastit, opinioni do të njoftohet siç duhet,” thonë nga MPB.
Megjithatë, nga MPB nuk i përgjigjen pyetjes se pse ende nuk ka asnjë njoftim për regjistrimet e video-vëzhgimit të kërkuara nga Prokuroria dhe nëse do të arrijnë t’i dekodojnë mesazhet konfidenciale nga Kabineti i Presidentes.


