Me qëllim të avancimit të koordinimit dhe veprimit parandalues ndaj rreziqeve të mundshme, sot u zhvillua një takim pune ndërmjet drejtorit të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, z. Muhamed Ali, dhe kryetarit të Komunës së Haraçinës, z. Daut Beqiri. Në takim mori pjesë edhe komandanti i stacionit policor në Haraçinë.
Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e aktiviteteve për angazhimin e një shërbimi kujdestarie 24-orëshe në deponinë e komunës, me qëllim mbrojtjen nga ndezjet e mundshme.
Gjithashtu, palët u dakorduan për realizimin e trajnimeve në shkollat fillore të Haraçinës, ku stafi mësimor dhe nxënësit do të edukohen për njohjen në kohë dhe përballimin efikas të rreziqeve dhe situatave të krizës.
Bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe veprim të përbashkët, duke vendosur si prioritet sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.


