TIRANË – Protesta e thirrur nga Partia Demokratike, e cila nisi në orën 18:00 para selisë së Kryeministrisë, është shoqëruar me momente tensioni dhe përplasje fizike. Pas fjalimit të liderit të opozitës, Sali Berisha, situata u përshkallëzua me përdorimin e mjeteve piroteknike dhe bombave molotov.
Molotov dhe përplasje te kordoni i sigurisë
Sapo përfundoi fjalimi i Berishës, protestuesit hodhën disa bomba molotov në drejtim të kordonit të policisë dhe hyrjes kryesore të Kryeministrisë. Flakët janë shuar me shpejtësi nga efektivët, por tensioni ka vijuar. Grupe protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e sigurisë, duke u përplasur fizikisht me forcat e rendit, të cilat arritën të mbajnë situatën nën kontroll.
Marshimi drejt Ministrisë së Brendshme
Rreth orës 20:00, protestuesit kanë nisur të shpërndahen nga sheshi para Kryeministrisë, por nuk është shënuar mbyllja e tubimit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Brendshme, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë.
Situata në terren: Policia mbetet në gatishmëri të lartë përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë institucioneve kyçe.


