Sot bëhen tetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, e cila më 17 qershor 2018, në fshatin grek Nivica (Psarades), i dha fund kontestit shumëvjeçar midis Shkupit dhe Athinës. Kjo marrëveshje historike, e nënshkruar nga ministrat e atëhershëm të jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias, rezultoi me ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas nga ana e Greqisë, si dhe anëtarësimin e vendit në NATO.
Pavarësisht rëndësisë së saj, marrëveshja u përcoll me sfida të brendshme, përfshirë referendumin e vitit 2018, i cili nuk arriti censusin e nevojshëm, por më pas u ratifikua në parlamentet e të dyja vendeve dhe hyri zyrtarisht në fuqi më 12 shkurt 2019. Edhe pse marrëveshja normalizoi marrëdhëniet bilaterale dhe forcoi bashkëpunimin ekonomik e energjetik, procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian mbetet ende i bllokuar, ndërsa nga pala greke ka ende vonesa në ratifikimin e memorandumeve të bashkëpunimit.
Sot, ndonëse marrëdhëniet politike mes Shkupit dhe Athinës janë në një nivel të mirë, akoma nuk është realizuar një takim bilateral midis kryeministrave aktualë, Hristijan Mickoski dhe Kiriakos Micotakis. Përderisa qeveria greke, edhe pse dikur opozitare, deklaron se e respekton marrëveshjen si detyrim ndërkombëtar, vërehet një mungesë e vizitave të nivelit të lartë në periudhën e fundit, duke lënë hapësirë për dinamika të reja në komunikimin e ndërsjellë mes dy vendeve fqinje.


