Tragjedi në Durrës: Humb jetën adoleshenti i lënduar rëndë pas një sherri mes të rinjve

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit, pasi ka ndërruar jetë në spital adoleshenti 15-vjeçar, Erion Boba, i cili u lëndua rëndë gjatë një konflikti mes të miturve disa ditë më parë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe lutjeve të familjarëve, i riu nuk arriti të mbijetojë.

 

Për rreth 10 ditë, Erioni u mbajt në gjendje shumë të rënduar në repartin e reanimacionit në QSUT, duke marrë trajtimin maksimal që ofrohet për raste të tilla. Familja, e cila gjatë gjithë kësaj periudhe qëndroi pranë tij, kishte kërkuar ndihmën e komunitetit për mundësinë e transferimit jashtë vendit, duke shpresuar në një trajtim më të avancuar.

Ngjarja nisi pas një mosmarrëveshjeje mes të rinjve, e cila më pas degjeneroi në përplasje fizike. Rasti shkaktoi shqetësim të madh tek qytetarët dhe solli reagime të shumta për rritjen e tensioneve mes të miturve dhe nevojën për ndërhyrje më të madhe shoqërore dhe institucionale.

Lajmi i ndarjes nga jeta të 15-vjeçarit ka lënë në trishtim të thellë familjen, të afërmit, shokët e shkollës dhe komunitetin e gjerë, që këto ditë shpresuan për një mrekulli.

Autoritetet po vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive në këtë ngjarje.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT