Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se nesër do të nënshkruhet një marrëveshje e re me Iranin, e cila do të parandalojë zhvillimin e armëve bërthamore dhe do të rihapë Ngushticën e Hormuzit për trafikun detar. Trump kritikoi ashpër marrëveshjen e mëparshme dhe paralajmëroi një bashkëpunim afatgjatë me Iranin, pa lëshime financiare.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump deklaroi se menjëherë pas nënshkrimit të këtij dokumenti, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë qarkullimin detar.
Kritikë e ashpër ndaj marrëveshjes së vjetër bërthamore
Trump ka drejtuar kritika të forta ndaj marrëveshjes së mëparshme bërthamore me Iranin, e njohur si JCPOA, e cila u arrit gjatë administratës së Barack Obamës. Sipas tij, ai akord përfaqësonte një „rrugë të lehtë drejt armëve bërthamore“ dhe, nëse do të mbetej në fuqi, Irani do të posedonte një arsenal bërthamor që para disa vitesh.
„Një mur kundër armëve bërthamore“
Marrëveshja e re, siç specifikon Trump, është tërësisht e kundërt nga rregullimi i kaluar. Ai porositi se ky dokument krijon një „mur kundër armëve bërthamore“ dhe pretendoi se Irani nuk do të mund të sigurojë armatim të tillë as përmes zhvillimit të tij, e as përmes furnizimit nga burime të tjera.
Presidenti amerikan nënvizoi gjithashtu se në kuadër të marrëveshjes së re nuk do të ketë kurrfarë transaksionesh financiare mes dy vendeve.
Pa lëshime financiare për Teheranin: Trump përsëriti akuzat ndaj administratës së Obamës, duke pretenduar se i ka paguar Iranit qindra miliarda dollarë, duke përfshirë 1.7 miliardë dollarë në para të gatshme (kesh). Ai potencoi se pakti aktual nuk parasheh transferim mjetesh drejt Teheranit, por ekskluzivisht mekanizma për parandalimin e programit bërthamor.
Plan për shkatërrimin e materialit bërthamor
Në njoftimin e tij, Trump foli edhe për hapat e ardhshëm që lidhen me programin bërthamor iranian. Ai bëri të ditur se, pasi situata të stabilizohet, SHBA-të do të punojnë për largimin dhe shkatërrimin e materialit bërthamor të mbetur, i cili, sipas tij, është i ruajtur thellë nën malet e granitit.
Mesazh për bashkëpunimin e ardhshëm
Në fund, Trump shprehu optimizëm për marrëdhëniet e ardhshme mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke vlerësuar se raportet dypalëshe janë dukshëm më të mira se në të kaluarën.
Ai porositi se SHBA-të janë të gatshme për bashkëpunim afatgjatë me Iranin dhe me vendet e Lindjes së Mesme, por në të njëjtën kohë paralajmëroi se Uashingtoni disponon edhe një „alternativë ekstreme“, për të cilën tha se shpreson që nuk do të ketë nevojë të përdoret përsëri.


