Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar me ironi dhe tone të ashpra ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për të bllokuar një pjesë të tarifave të tij doganore. Në një postim të fundit, Trump pretendoi se gjykata, përmes një vendimi që ai e quajti “qesharak”, pa dashje i ka hapur rrugën për të ushtruar pushtet edhe më të madh ekzekutiv pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit, siç transmeton Kohanews.
Trump argumenton se interpretimi i gjykatës i jep atij “siguri ligjore” për të përdorur licenca dhe instrumente të tjera ekzistuese në mënyrë më agresive. Sipas tij, kjo i jep dorë të lirë për të goditur vendet që “shfrytëzojnë SHBA-në”, duke anashkaluar pengesat legjislative.
Pikat kyçe të zhvillimeve: 15% tarifë globale
-
Rritja e tarifave: Pavarësisht vendimit të Gjykatës që shpalli të paligjshme një pjesë të masave të mëparshme, Trump njoftoi rritjen e tarifës globale në 15% (nga 10% sa ishte paraparë fillimisht).
-
Baza ligjore: Presidenti po shfrytëzon Nenin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i lejon atij vendosjen e tarifave deri në 15% për një periudhë 150-ditore pa miratim paraprak.
-
Përplasja kushtetuese: Gjykata Supreme kishte vendosur (6 me 3) se Trump nuk mund të vendosë tarifa të njëanshme ndaj gjithë botës duke u thirrur në kompetencat emergjente, por presidenti duket i vendosur të gjejë “shtigje” të reja ligjore për të realizuar agjendën e tij ekonomike.
Kjo përplasje shënon një kulm të ri në tensionet mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor në SHBA, me pasoja të drejtpërdrejta në tregtinë globale.
/ KOHANEWS


