Zyra komunale e Venecias e gjobiti arkitektin spanjoll Santiago Calatrava me 78.000 euro për dizajnimin e urës Ponte della Costituzione, e cila nuk e përballon fluksin e madh të turistëve.
Sipas vendimit të gjykatës italiane, Calatrava kishte qenë i pakujdesshëm gjatë procesit të ndërtimit dhe, duke pasur parasysh përvojën e tij në ura të tjera në Dallas dhe Calgary, duhej të kishte informacion të mjaftueshëm për të ndërtuar një urë të qëndrueshme.
Ura, e gjatë rreth 90 metra dhe e ndërtuar në 2008, u projektua për të përkujtuar 60-vjetorin e Kushtetutës italiane. Të dhënat tregojnë se struktura me kornizë çeliku dhe panele xhami nuk mund të përballonte fluksin e përditshëm të vizitorëve dhe valixheve të tyre, duke shkaktuar zëvendësime të disa shkallëve xhami.
Kjo nuk është hera e parë që një projekt i Calatrava-s shkakton polemika. Projekti i tij për qiellgërvishtësin Chicago Spire u anulua në 2015, si pasojë e krizës ekonomike.
Venecia po përballet me pasojat e turizmit masiv dhe ka vendosur masa të reja, përfshirë taksën prej 10 eurosh për vizitorët që nuk qëndrojnë për natë dhe ndalimin e transportit të valixheve me rrota.


