Ish-diplomati amerikan William Walker, i ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, ka deklaruar se masakra e Reçakut mbetet një ngjarje që kërkon hetim të thelluar për të përcaktuar përgjegjësit politikë dhe ushtarakë në Serbi.
Walker theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet tek urdhërdhënësit e krimeve dhe jo tek UÇK-ja:
“Duhet një hetim i thelluar, që BE-ja dhe Gjykata e Hagës t’i kushtojnë vëmendje se cilët ishin drejtuesit në Beograd që kryen këto krime dhe dhanë urdhrat për to, sesa të shohin UÇK-në.”
Ai e cilësoi Reçakun si një pikë kthese historike që ndryshoi kursin e ngjarjeve në Kosovë, duke nënvizuar se viktimat ishin civilë të marrë në mes të natës dhe se regjimi nuk pati kohë të manipulonte vendngjarjen.
Walker foli edhe për mosmarrëveshjen e tij fillestare me mjeko-ligjoren finlandeze Helena Ranta, e cila në ditët e para ngurroi ta cilësonte masakër. Ai pranoi se kishte pasur një incident të tensionuar me të, por shtoi se raporti i mëvonshëm i Rantës nuk kundërshtoi përfundimet e tij.
Në intervistë, ish-diplomati amerikan përmendi edhe problemet me zëvendësin e tij francez, i cili më vonë u bë ambasador në Beograd, duke e akuzuar se ishte i koordinuar me autoritetet serbe dhe se shpesh e konsideronte Walker-in si të njëanshëm.
Walker përfundoi duke thënë se deklaratat e tij ishin të bazuara vetëm në atë që pa në vendngjarje:
“Pashë një masakër, një krim lufte.”
Ky rrëfim risjell në vëmendje tensionet e hershme rreth interpretimit të ngjarjes së Reçakut, e cila mbetet një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.


