Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, ka bërë të ditur se Ministria e Transportit ka filluar procedurat për përgatitjen dhe lidhjen e Marrëveshjes për Transport Ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite. Kjo marrëveshje do të krijojë bazën ligjore për vendosjen e fluturimeve të rregullta mes dy vendeve.
Sipas saj, ky hap pritet të forcojë bashkëpunimin ekonomik, të nxisë turizmin dhe të lehtësojë shkëmbimet tregtare, duke afruar më shumë qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve.
Zekolli-Shaqiri theksoi se në periudhën e ardhshme do të ndërmerren të gjitha hapat institucionalë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të aviacionit civil, me synim që marrëveshja të finalizohet sa më shpejt.
👉 Ky projekt shihet si një mundësi strategjike për Maqedoninë e Veriut, duke e afruar me tregjet e Lindjes së Mesme dhe duke krijuar lidhje të reja ajrore me ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe social.



