Reisul-Ulema Shaqir ef. Fetai: Arabati Baba Teqe është vakuf i BFI-së, nis renovimi

Në prag të muajit të Ramazanit, Reisul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, vizitoi sot Muftininë e Tetovës dhe kompleksin historik Arabati Baba Teqe. Ai u prit nga Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ku u zhvillua një takim pune me fokus organizimin fetar, aktivitetet edukative dhe projektet institucionale.

 

Gjatë vizitës u kumtua publikisht se Arabati Baba Teqe është pronë – vakuf i BFI-së, duke zgjidhur përfundimisht çështjen pronësore-juridike në favor të institucionit. Ky vendim u cilësua si një hap historik për Muftininë e Tetovës dhe besimtarët, duke hapur rrugën për menaxhim të përgjegjshëm dhe zhvillim të mëtejshëm të kompleksit.

Reisul-Ulema dhe Myftiu vizituan objektin për të analizuar gjendjen aktuale dhe për të nisur procesin e renovimit. U theksua rëndësia e ruajtjes së këtij monumenti me vlera të veçanta historike, fetare dhe kulturore, si pjesë e identitetit të përbashkët.

Myftiu Dr. Selver Xhemaili shprehu gëzimin për këtë arritje, duke premtuar menaxhim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të kompleksit. Vizita u karakterizua nga atmosferë vëllazërore dhe përkushtim për thellimin e bashkëpunimit institucional.

Në fjalën e tij, Reisul-Ulema Fetai uroi besimtarët për këtë arritje historike, duke theksuar se Arabati Baba Teqe do të shndërrohet në një qendër frekuentimi për besimtarët nga Tetova dhe mbarë bota.

👉 “Na qoftë për hajr kjo e arritur historike. Allahu ju bekoftë!”, përfundoi ai.

 

TË NDRYSHME

TË FUNDIT