ÇEGRANË, 10 Shkurt 2026 – Familja “verdh e zi” po përforcohet. KF Arsimi ka njoftuar zyrtarisht rikthimin e mbrojtësit të krahut, Arlind Aliti, i cili vjen si një përforcim i rëndësishëm për repartin defensiv.
Aliti rikthehet në shtëpi pas një aventure të shkurtër në futbollin e Kosovës, ku ishte pjesë e skuadrës së Vëllaznimit.
Një forcë e shtuar për Ligën e Parë
Mbrojtësi nuk është një emër i panjohur për tifozët, pasi ai kishte shkëlqyer me fanellën e KF Arsimit më parë, duke qenë një nga lojtarët kyç në rrugëtimin e skuadrës drejt inkuadrimit në Ligën e Parë.
“Jemi të bindur që me cilësitë dhe përkushtimin e tij do të jetë një forcë e madhe për ekipin tonë në sfidat e ardhshme”, thuhet në njoftimin e klubit.
Klubi i ka uruar mirëseardhje lojtarit, duke shpresuar në një sezon të suksesshëm dhe paraqitje solide në vazhdim të kampionatit. Me këtë lëvizje, KF Arsimi tregon ambiciet e tij për të stabilizuar mbrojtjen dhe për të synuar rezultate pozitive me “Yellow Black Army”.


