27 vjet nga kapitullimi i Millosheviqit: Marrëveshja e Kumanovës që çliroi Kosovën

Më 9 qershor 1999, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Ushtarako-Teknike që i dha fund luftës në Kosovë, duke shënuar dorëzimin e ish-armatës jugosllave dhe kapitullimin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Sot, 27 vjet pas kësaj ngjarjeje historike, kujtohet kthesa e madhe që detyroi tërheqjen e plotë të forcave serbe dhe i hapi rrugë lirisë.

 

Ky nënshkrim erdhi pas një fushate 78-ditore të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, si dhe pas përpjekjeve të gjata diplomatike. Lufta la pas pasoja tragjike: mbi 10 mijë të vrarë, rreth 5 mijë të zhdukur, mbi 1 milion shqiptarë të zhvendosur me dhunë dhe shkatërrime masive materiale.

Dokumenti historik u nënshkrua nga gjenerali Michael Jackson (komandanti i parë i KFOR-it) dhe ish-shefi i Shtabit serb, Nebojsha Pavkoviq (i dënuar më pas në Hagë për krime lufte). Marrëveshja hyri në fuqi më 11 qershor 1999.

Pikat kyçe të Marrëveshjes së Kumanovës:

  • Tërheqja totale: Largimi i menjëhershëm i të gjithë personave dhe strukturave me kapacitete ushtarake nga Kosova, përfshirë armatën e rregullt, policinë (MUP), paramilitarët, shërbimet informative dhe civilët e armatosur.

  • Zona e Sigurisë Ajrore: U caktua një brez sigurie prej 25 kilometrash përtej kufirit të Kosovës.

  • Zona e Sigurisë Tokësore: U përcaktua një brez prej 5 kilometrash përgjatë kufirit me RFJ-në, ku ndalohej rreptësisht vendosja e ushtrisë dhe armatimit të rëndë (me përjashtim të rojave kufitare).

Zbarkimi i NATO-s dhe administrimi i ri

Të nesërmen e nënshkrimit, më 10 qershor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havijer Solana, urdhëroi ndalimin e bombardimeve. Paralelisht, Këshilli i Sigurisë i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, duke autorizuar dërgimin e 37,200 ushtarëve të KFOR-it nga 36 shtete, të ndarë në pesë zona përgjegjësie (amerikane, angleze, franceze, gjermane dhe italiane).

Më 12 qershor 1999, trupat e para të këmbësorisë së NATO-s hynë në Kosovë, ndërsa nisi dëbimi i forcave serbe. Bashkë me KFOR-in, në Kosovë u vendos edhe misioni i përkohshëm i OKB-së për administrimin e vendit, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shpërbë zyrtarisht për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

TË NDRYSHME

TË FUNDIT